Burgu i Sigurisë së Lartë i kërkon presidentit Thaçi t’ia falë 8 vjet burg

Kronika January 25, 2019 - 08:12
Lexoni detajet
Image

Faton Hajrizi (33), i dënuar me 25 vjet burg për shkak të vrasjes së një ushtari rus të KFOR-it në vitin 2000 dhe për shkak të disa veprave të tjera (ikje nga burgu) deri më tani ka mbajtur 17 vjet burg, shkruan sot gazeta "Zëri".

Faton Hajrizi, tani 33 vjeç, nga Klina e Poshtme e Skenderajt, nëpërmes një letre nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, një kopje e së cilës i është dërguar edhe gazetës “Zëri”, i ka kërkuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçit që t’ia falë dënimin e mbetur, pasi që, siç ka vlerësuar ai, “tashmë është rritur dhe ka marrë mësim nga gabimet që ka bërë”. Ai ka siguruar presidentin Thaçi dhe qytetarët e Republikës së Kosovës se do të jetë qytetar i ndershëm dhe mirënjohjes. 

LEXO EDHE: BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

Hajrizi, i cili si 15-vjeçar kishte vrarë një ushtar rus të KFOR-it në qendër të qytetit të Skenderajt (2000) me armën të cilën ia kishte rrëmbyer është dënuar për këtë vepër me 5 vjet burg, por ai kishte vazhduar të kryejë vepra të dënueshme, sidomos të arratiset nga pothuajse të gjitha burgjet ku është mbajtur dhe në fund i janë përmbledhur gjithsejtë 25 vjet burg, nga të cilat ka mbajtur 17 vjet.

“Me armën e tij (ushtarit rus) që e kreva vrasjen shkova e u dorëzova në KFOR. Ata për tri ditë e tri net më mbajtën me duar e me këmbë të lidhura dhe pasi  m’i zgjidhën këmbët me duar të lidhura pata ikur. Këtë vrasje e pata kryer pasi që ushtari rus më ofendoi. Unë shkova duke menduar që është ushtar amerikan dhe thashë të shkoj ta falënderoj për kontributin në Kosovë. Ai ia nisi të flasë serbisht dhe u shtymë me llafe, ia mora armën dhe e vrava”, tregonte Hajrizi gjatë një bisede me gazetën “Zëri”.

Në vend që 15-vjeçari të dërgohej në ndonjë qendër të edukimit, siç është Burgu i Lipjanit, Fatoni ishte dërguar në Burgun e Mitrovicës, në Prishtinë, në Dubravë, në Pejë e në Prizren, gjithmonë në dhoma me persona të paraburgosur për vepra të rënda kriminale, siç janë vrasjet, plaçkitjet, grabitjet me armë e vjedhjet. I shtyrë nga njerëz me të kaluar kriminale, Hajrizi kishte arritur disa herë që të arratisej nga burgjet, kudo që është mbajtur, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Pejë, në Prizren e në Dubravë. Herën e fundit Faton Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Prizrenit në gushtin e vitit 2012.

“Pikërisht për shkak se më mbanin me të paraburgosur, ndërsa unë kam qenë në cilësinë e të dënuarit me vendim të plotfuqishëm, edhe kam ikur. E pata paralajmëruar shefin e sigurimit se do të ik pikërisht për shkak pse nuk më mbanin në vend ku duhej të mbaheshin të dënuarit dhe kam ikur”, i pati thënë Hajrizi gazetës “Zëri” në Burgun e Dubravës, ku ishte transferuar nga Burgu i Prishtinës pasi që kishte ikur nga Burgu i Prizrenit.

Kërkon të kthehet në Burgun e Dubravës

Tani kur i kanë mbetur edhe 8 vjet burg, Faton Hajrizi fillimisht ka kërkuar që ta kthejnë në Burgun e Dubrovës, në mënyrë që ta vazhdojë shkollimin, ndërsa për ikjet spektakolare Hajrizi ka thënë se ato i ka bërë nga mosdija se çfarë është duke bërë.

“Jam mbajtur nëpër bodrumet e Burgut të Mitrovicës, si i mitur jam mbajtur i izoluar në qeli, më është mohuar e drejta për shkollim dhe risocializim. Nuk jam arratisur 7 herë nga Dubrava, siç kanë shkruar disa gazeta, kam ikur 2 herë nga Burgu i Mitrovicës, 2 herë nga Burgu i Prishtinës, 2 herë nga Burgu i Pejës, një herë nga Burgu i KFOR-it dhe 1 herë nga Burgu i Prizrenit. Nga Dubrava jam arratisur vetëm një herë, para 11 vjetëve dhe për këtë jam dënuar me 5 vjet burg. Nuk krenohem që kam qenë i detyruar të arratisem, prej vitit 2012, qe 5 vjet që ndodhëm në Burgun e Sigurisë së Lartë, nuk kam asnjë vërejtje, nuk kam asnjë raport negativ, jam i angazhuar në punë, jam duke u trajtuar shumë mirë, nuk kam asnjë pretendim t’i shmangem drejtësisë e kur më, unë tani jam 33-vjeçar dhe jam njeri që kam mësuar nga gabimet, nuk i përsëris më”, ka thënë Hajrizi në letrën e dërguar nga Burgu i Sigurisë së Lartë, me të cilën i ka kërkuar presidentit Thaçi që t’ia falë dënimin e mbetur.  

Nga ministri kërkon t’i mundësohet shkollimi

“I jam drejtuar me një lutje ministrit të Drejtësisë Abelard Tahirit të më mundësojë shkollimin e mesëm, sipas ligjit, jo më shumë. Jam informuar se kërkesa ime do të aprovohet. Unë nuk jam i prirë të kërkojë data, me rendësi për mua është që ta përfundoj shkollimin e mesëm. Unë jam krejtësisht ‘ok’ nëse shkollimi më mundësohet. E falënderoj ministrin Tahiri dhe komisarin Nehat Thaçi për korrektësi, kaq. Me të bëmat e mia nuk krenohem fare, kërkoj falje për ato gabime që kam bërë. Si 14-vjeçar kam qenë pjesëtar i UÇK-së, jam krenar për atë që kam bërë për çlirimin e vendit. Pavarësisht që gjatë rrugëtimit kam bërë gabime, unë nuk jam armik i popullit dhe kurdo që ka nevojë vendi jam i gatshëm ta sakrifikoj jetën”, ka shkruar Hajrizi në letrën e tij.

Në fund Hajrizi i ka kërkuar presidentit Thaçi që në 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës t’ia falë edhe vitet e dënimit që i kanë mbetur, 8 vjet.

“I kam mbushur 17 vjet në burg, do të thotë 17 vjet i kam mbajtur deri tash. Përmes kësaj letre i bëj lutje presidentit tonë, z. Hashim Thaçit, që për hir të Pavarësisë, të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të ma falë pjesën e mbetur të dënimit. Unë publikisht zotohem se do të jem qytetar i ndershëm, do të jem mirënjohës ndaj shtetit tim dhe gjithmonë gati për atdheun tim”, thuhet në letrën e Faton Hajrizit, i cili aktualisht mban dënimin prej 25 vjetësh në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës./ZERI