BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

Aktuale January 25, 2019 - 07:52
Lexoni detajet
Image

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë gazetës “Zëri” se është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë me vrull punën e tyre në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas tyre, progresi i përgjithshëm mbi sundimin e ligjit do të kontribuojë në përmirësimin e perspektivave të një vendimi përfundimtar pozitiv për liberalizimin e vizave, shkruan sot gazeta "Zëri".

Drejtues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë pranojnë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve në Zonën Schengen nevojitet ende kohë.

“Duke u bazuar në ecurinë e institucioneve të Kosovës, Komisioni Evropian konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha parimet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Prandaj, më 18 korrik 2018, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Tani është në Këshillin e BE-së, një institucion i BE-së i përbërë nga përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, për të vendosur mbi propozimin e komisioneve. Procesi i vendimmarrjes është në vazhdim dhe ende do të marrë kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për gazetën “Zëri”.

LEXO EDHE: Limaj jep detaje për takimin e së martës në Bruksel

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Prishtinë, deri sa të merret vendimi përfundimtar për vizat institucionet e Kosovës duhet ta vazhdojnë me vrull punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë.

“Para se të merret një vendim përfundimtar është e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë me vrull punën e tyre në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit në nivel të lartë. Progresi i përgjithshëm mbi sundimin e ligjit do të kontribuojë në përmirësimin e perspektivave të një vendimi përfundimtar pozitiv për liberalizimin e vizave”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për “Zërin".

Hoxha: Lobimi për vizat nis në Austri

Në anën tjetër ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka thënë për “Zërin” se institucioni, të cilin udhëheq ajo, mbetet e përkushtuar në heqjen e viza me BE-në për kosovarët, me ç’rast ka bërë të ditur që shumë shpejt do të fillojë lobimi i Kosovës te shtetet anëtare të BE-së. Austria, sipas saj, do të jetë shteti i pari në të cilin do të lobojë Ministria e Integrimeve.

“Lobimi nuk ka të bëjë me kushtet nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, sepse ato i kemi plotësuar të gjitha. Ka të bëjë me përkushtimin tonë për reformat dhe për bartjen e mesazhit se ne do të jemi të përkushtuar për ta fuqizuar sundimin e ligjit, zbatimin e reformave, rritjen e kapaciteteve të vendit tonë për zbatimin e marrëveshjes për liberalizim, uljen e rrezikut nga emigrimi ilegal, përafrimin e legjislacionit tonë me BE-në etj. Do të fillojmë lobimin me Austrinë dhe më pastaj vazhdojmë me secilin vend anëtar të BE-së”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kurse lidhur me mundësinë e heqjes së vizave gjatë udhëheqjes së presidencës rumune, Hoxha ka thënë që nuk pret se ky shtet ta pengojë këtë proces për Kosovën, pavarësisht se nuk e njeh pavarësinë e vendit.

“Rumania është në krye të BE-së duke respektuar parimet e saj, andaj nuk pres vendime të saj duke paragjykuar orientimin tonë, vendosmërinë dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Me vëmendje kemi përcjellë deklarimet e Rumanisë. Shpresoj se edhe gjatë presidencës së saj Ballkani do të jetë në fokus të procesit integrues dhe të planeve për zgjerim, duke mos bërë kthim prapa ose vështirësi në këtë rrugë. Rumania si pjesë e BE-së, pavarësisht qëndrimit të saj negativ për pavarësinë tonë, nuk ka paraqitur obstruksione në proces, madje pres mirëkuptim nga ky vend për qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë e para e Ministrisë së Integrimeve ka thënë që politika e brendshme e shteteve po reflekton edhe te vendimi i Këshillit të Ministrave.

“Nuk ka dilema se ne jemi në rrugën e duhur, këtë e konfirmoi edhe z. Hahn që në verë të vitit të kaluar. Këtë e konfirmojnë edhe instancat tjera madhore, por vendimmarrja është në duar të vendeve anëtare, në Këshillin e Ministrave që nuk merr interferime nga instancat tjera, sepse është e lidhur me gjendjen e brendshme të atyre vendeve. Vendimi në Këshillin e Ministrave reflekton në politikën e brendshme të atyre vendeve”, ka theksuar ajo.

S’ka viza gjatë presidencës rumune

Besnik Vasolli, ekspert i integrimeve evropiane, vlerëson që heqja e vizave për Kosovën gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Rumania është e pamundur, pasi ky shtet nuk e ka prioritet heqjen e vizave për Kosovën.

“Ne e dimë qëndrimin e Rumanisë drejt Kosovës, pra nuk pritet që situata të ndryshojë në favor të Kosovës. Për më tepër, kjo presidencë do të kalojë nëpër disa sfida, siç është ajo e Brexitit, zgjedhjet në BE dhe shumë prioritet tjera. Pra shanset që Kosova do të jetë në listën e prioriteteve mbetet shumë e largët”, ka thënë ai për “Zërin”.

Duke folur për kohën më reale se kur mund të ndodhë heqja e vizave për Kosovën, Vasolli ka përmendur presidencat e ardhshme, si atë të Finlandës dhe të Kroacisë.

“Presidenca e BE-së për gjashtë muajt në vijim i takon Rumanisë. Prioritetet e këtij shteti janë të ndryshme, por shihet qartë që zgjerimi i mëtutjeshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një ndër prioritetet e saj. Mendoj se ne duhet të fokusohemi në presidencat e ardhshme, pra në atë të Finlandës (korrik - dhjetor 2019) dhe në atë të Kroacisë (janar – qershor 2020)”, ka theksuar ai.

Pavarësisht kësaj ai vlerëson se vendimi kryesor qëndron te ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të BE-së.

“Sidoqoftë, vendimi mbetet në masë të madhe në Këshillin e Bashkimit Evropian, respektivisht të ministrave të Brendshëm të secilit shtet anëtar, të cilët ende nuk e kanë diskutuar raportin e Komisionit dhe nuk kanë marrë vendim si ta procedojnë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Vasolli ndër të tjera ka thënë që rol të madh në heqjen e vizave për Kosovën luan edhe mbarëvajtja e dialogut me Serbinë.

“Procesi i liberalizimit është proces teknik, po aq sa është edhe politik. Në fakt pjesa teknike duket se tashmë ka përfunduar. Kështu që teknikisht taksa nuk ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave, por në anën tjetër relacioni me Serbinë është një temë shumë e rëndësishme për BE-në. Nganjëherë duket më e rëndësishme për BE-në sesa për palët negociuese. Kështu që taksa ndaj produkteve nga Serbia, respektivisht vazhdimi i negociatave dhe marrëveshja eventuale mund të ndërlidhen edhe me vendimmarrjen për procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

Mosluftimi i korrupsionit, skepticizëm i BE-së

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, për “Zërin” ka thënë se çështjen e heqjes së vizave të Kosovës po e mban të bllokuar Këshilli i BE-së, i cili nuk vlerëson se Kosova ka luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Kosova është në një situatë, në të cilën dy institucionet e BE-së, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, vlerësojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, pavarësisht vlerësimit të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, vendet anëtare të BE-së, ose Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjtë me të dyja institucionet e cekura”, ka thënë ai.

Skepticizmi i Këshillit të BE-së, sipas Shashës, vjen për shkak se Kosova nuk ka shënuar mjaftueshëm progres në fushën e drejtësisë.

“Skepticizmi i shfaqur nga Këshilli i BE-së bazohet në mungesën e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Dy vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion”, ka thënë ai./ZERI