Skadon klauzola e Messit për largim nga Barcelona

Skadon klauzola e Messit për largim nga Barcelona

Sport June 01, 2020 - 13:45
Lajmet e fundit nga sporti

Klauzola që lejonte largimin e Lionel Messit falas nga Barcelona gjatë kësaj vere ka skaduar gjatë fundjavës së kaluar, raporton ESPN-ja, transmeton "Zeri.info".

Kjo do të thotë që argjentinasi do të qëndrojë në klubin katalunas së paku edhe për 12 muaj.

Disa burime brenda klubit të Barcelonës kanë konfirmuar për ESPN-në se afati i fundit i klauzolës ishte 30 maji, që ishte në pajtim me finalen e Ligës së Kampionëve, e paraparë të zhvillohej më 30 maj në Stamboll, por që është shtyrë për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19.

ESPN-ja ka kontaktuar edhe me kampin e Messit për konfirmim, por ata kanë thënë nuk flasin për çështje të kontratës.

“El Pais” ishte gazeta e parë që kishte zbuluar situatën e kontratës së Messit në shtatorin e vitit të kaluar, gjë e cila më vonë u konfirmua edhe nga Gerard Pique, i cili kishte thënë se Messi ka fituar të drejtën për të zgjedhur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij, pas asaj që ka bërë për klubin. /Zëri