Arsenali e mbyll me fitore, por mbetet i dyti në Premierligë për të dytin vit me radhë

Arsenali e mbyll me fitore, por mbetet i dyti në Premierligë për të dytin vit me radhë

Sport May 19, 2024 - 19:21

Arsenal ka mposhtur Evertonin me rezultat 2-1 në ndeshjen e javës së fundit të ligës Premier, fitore që nuk u ndihmoi vendasve të shpallen kampion.

Edhe pse Arsenalit i duhej fitorja për titullin e kampionit, për të shpresuar pastaj në humbjen e Man Cityty, ishte Evertoni që e nisi më mirë ndeshjen dhe kishte raste më të mira.

Dominic Calvert-Lewin rrezikoi dy herë portën e David Rayas, por nuk ia arriti të shënojë.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 40-të, kur Idrissa Gueye gjuajti nga një goditje dënimi, ku topi u devijua nga Declan Rice për të përfunduar në rrjetë për 0-1.

Por pas tre minutash, Arsenali arriti të barazojë rezultatin me Martin Odegard që asistoi te Takehiro Tomiyasu që shënoi për 1-1.

Pjesa e dytë ishte e qetë, me vendasit që filluan të rrezikojnë vetëm në minutat e fundit të ndeshjes.

Emile Smith Rowe rrezikoi i pari në minutën e 83-të, por pa sukses.

Goli erdhi në minutën e 90-të me Kai Havertz, që u shikua në VAR, por që mbeti si goli i fitores (2-1).

Arsenali e mbyll kampionatin me 89 pikë, dy më pak se Man City, duke mbetur si nënkampion për të dytin vit me radhë. /Telegrafi/