Nuhiu: Është për t'u shqetësuar kjo situatë, por duhet të kemi kujdes

Nuhiu: Është për t'u shqetësuar kjo situatë, por duhet të kemi kujdes

Sport June 01, 2020 - 22:35

Pas një pauze prej më shumë se dy muaj shkaku i pandemisë Covid-19, skuadrat elitare do t'i rikthehen fushës së gjelbër këtë javë, me një orar më të ngjeshur si asnjëherë më parë.

Derisa Federata e Futbollit të Kosovës anuloi garat tjera të futbollit vendosur, Superliga do të vazhdojë, poashtu edhe Kupa e Kosovës, raporton "Zeri.info".

Nesër luhet ndeshja e parë pas pauzës me pandemi, ku në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, përballen FC Prishtina dhe Drenica, të mërkurën luajnë Ballkani dhe Feronikeli, kurse në fundjavë rinis edicioni në Superligë.

Afati i vendosur nga UEFA në drejtim të FFK-së për mbylljen e këtij edicioni është 20 korriku, që i bie se është një periudhë prej më shumë se një muaj e gjysmë ku skuadrat elitare kosovare do të duhet t'i mbyllin garat.

Natyrisht, kjo skuadrat do të detyrohen të luajnë me një orar të ngjeshur të ndeshjeve, gjë e cila mund të jetë problematike dhe mund të lë pasoja në gjendjen fizike të futbollistëve që luajnë në Kosovë.

Trajneri i Dritës së Gjilanit, Ardian Nuhiu në një bisedë me "Zeri.info" e sheh shqetësues faktin për orarin e ngjeshur të skuadrave kosovare, derisa shpreson në kujdes maksimal.

"Patjetër se është për t'u shqetësuar dhe duhet treguar kujdes të madh gjatë kësaj faze, sepse realisht ka qenë periudhë e shkurtë për të hyrë në kampionat", u shpreh trajneri shkupjan.

Tutje, Nuhiu uron që futbollistët të mos pësojnë lëndime për shkak të intensitetit maksimal në vijim të kampionatit.

"Kemi qenë të kujdesshëm edhe gjatë fazës përgatitore, por duhet treguar jashtëzakonisht kujdes të madh në kampionat. Uroj që të mos ndodhin lëndime gjatë kampionatit ku e dimë se do të kemi një orar mjaft të ngjeshur", përfundoi të hënën Ardian Nuhiu për "Zeri.info".