Zbulohen filmat në garë për Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venecia

Zbulohen filmat në garë për Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venecia

Kultura July 24, 2026 - 13:39

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia ka publikuar listën e 20 filmave që do të garojnë për çmimin prestigjioz Luani i Artë në edicionin e 83-të, i cili do të hapet më 2 shtator me filmin “Ink” të regjisorit britanik Danny Boyle.

“Ink”, një dramë që trajton blerjen e tabloidit britanik The Sun nga manjati i medias Rupert Murdoch, sjell në rolet kryesore Jack O’Connell, Guy Pearce dhe Claire Foy, ndërsa do të jetë edhe në garë për çmimin kryesor të festivalit.

Mes pretendentëve më të spikatur për Luanin e Artë janë edhe “Wild Horse Nine” i Martin McDonagh, me John Malkovich dhe Sam Rockwell, “Bucking Fastard” i Werner Herzog, me Kate Mara, Rooney Mara dhe Orlando Bloom, si dhe “Bunker” i Florian Zeller, ku interpretojnë Penelope Cruz dhe Javier Bardem.

Në garë do të jetë edhe “Primetime” i Lance Oppenheim, me Robert Pattinson në rolin kryesor, ndërsa Alicia Vikander dhe Susan Sarandon interpretojnë në “The Echo Chamber” të Andrea Pallaoro.

Formacioni i konkurrencës përfshin gjithashtu filmat “Kami Nour” të Ali Asgarit, “Ritorno a Buenos Aires” të Marco Bechis, “Un Bon Petit Soldat” të Stéphane Brizé, “Il Fuoco Che Ti Porti Dentro” të Edoardo De Angelis dhe “Woman Unknown” të May el-Toukhy.

Listën e plotë e përbëjnë edhe “15/18: A Place to Heal” i Cédric Kahn, “Dau” i Ilya Khrzhanovsky, “Look Back” i Hirokazu Kore-eda, “Possible Love” i Lee Chang-dong, “Succederà Questa Notte” i Nanni Moretti, “Un Peu Avant Minuit” i Nicolas Pariser, “L’Estranea” i Paolo Strippoli dhe “Mr. Nelson, Did You Kill People?” i Shinya Tsukamoto.

Juria e këtij edicioni do të drejtohet nga aktorja, regjisorja dhe producentja amerikane Maggie Gyllenhaal, e cila do të shërbejë si presidente e jurisë që do të vendosë fituesin e Luanit të Artë. /kultplus