44 ditë “Akull n’Verë”, Prishtina nën koloritin e muzikës dhe aktiviteteve

44 ditë “Akull n’Verë”, Prishtina nën koloritin e muzikës dhe aktiviteteve

Kultura July 23, 2026 - 14:17

Artistë të dëshmuar, gastronomi e pasur e atmosferë verore po sjell për 44 ditë rresht iniciativa tashmë e përvitshme në sheshet e Prishtinës, “Akull n’Verë”.

Viola Musliu, e cila merret me organizimin e ngjarjes që po mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka folur për energjinë e sivjetme në një intervistë në RTK.

“ Akull n'Verë’ është një festival veror që tash këtë vit po vjen me konceptin ‘Colorful Edition’. Krejt ideja jonë është që si në sheshin ‘Skënderbeu’, si në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ta kemi një vendtakim të qytetarëve në shesh, si me diasporë, si me vizitorët prej qyteteve të tjera të Kosovës, po edhe me turistët e huaj”, tha ajo.

Sivjet janë gjithsej 40 shtëpiza të bizneseve, të cilat në pamje i janë përshtatur temës së përzgjedhur.

Musliu shpjegoi se në aplikimet për pjesëmarrje të bizneseve nuk u është kërkuar përvoja, për çka mundëson edhe përfshirjen e bizneseve të reja në këtë festival.

“Shtëpizat këtë vit janë me ngjyra. Jemi përshtatë me ‘Colorful Edition’ sepse vera është stina e ngjyrave. Kështu që çdo qytetar që vjen me vizitua 'Akull n'Verë' e ndjenë atmosferën që në hyrje të ngjarjes”, deklaroi Musliu.

Sipas saj, ky festival po bën bashkë grupmosha të ndryshme, të cilat kanë interesim për artistët e përzgjedhur që ngjiten çdo natë në skenë.