Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë pajiset me instrumente, falë donacionit të Yll Limanit

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë pajiset me instrumente, falë donacionit të Yll Limanit

Kultura July 22, 2026 - 13:10

Këngëtari Yll Limani, së bashku me kryetarin e kryeqytetit, Perparim Rama, kanë bërë dhurimin e instrumenteve në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, donacion ky nga Limani për nxënësit e kësaj shkolle.

Limani u shpreh se sa më shumë investime të ketë, as më shumë të rinj do të arsimohen dhe edukohen dhe se kjo është gjë e mirë jo vetëm për Prishtinës, por edhe për gjithë Kosovën.

Image

“Ka qenë më e pakta që kemi mundur ta bëjmë, aq sa kemi mundur të gjejmë instrumente të disponueshme, ndriçim për këtë sallë, për këtë shkollë, e kemi bërë. Nuk ka me qenë gjëja e fundit që kemi me e bërë për shkollën “Prenk Jakova”. Unë vlerësoj që sa më shumë të krijohen kushtet edhe mundësitë që talentët e rinj, që po na përcjellin tani, me ardhë edhe me u arsimu këtu, edhe me u eduku, aq më mirë është për Prishtinën, për vendin, për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa kryetari Rama derisa falënderoi këngëtarin, theksoi se komuna investon edhe në art e kulturë, përveç investimeve të tjera.

Image

“Dua ta falënderoj shumë Yllin për këtë donacion të mrekullueshem që ia ka bërë shkollës “Prenk Jakova”, edhe tash më 24 dhe 25 keni me pas koncertin e mrekullueshëm të Yllit, pra në këtë muaj. E po ashtu, me iu tregu që kryeqyteti përveç që shtron asfallt, rregullon kanalizime, e shumë e shumë tjera që duhet me i kry komuna, po ashtu investon në art e kulturë dhe jemi shumë krenarë që në këtë aspekt e kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm me Yllin, për me i ndihmu edhe talentëve të rinj në kryeqytet, pra që e ardhmja jonë të jetë edhe më e ndritshme për brezat e rinj, e i uroj edhe Yllit për të gjitha sukseset që i ka pasë deri tani, suksese edhe të mëtutjeshme, për tani e në të ardhmen, Ylli i mrekullueshëm e prezanton Prishtinën, Kosovën, e gjithë Shqiptarinë në mënyrën më të mirë të mundur, prandaj edhe jemi krenarë me Yllin”, tha ai.

E drejtori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Driton Saqipi, shpreson që edhe artistët tjerë të mbështesin talentët e rinj, sikurse Ylli.

“Jemi e vetmja shkollë artistike në qytet, e kemi dëshmuar sidomos viteve të fundit, kori, orkestra, baleti, kanë arritur një nivel artistik shumë të lartë. Një falënderim për kryetarin, faleminderit edhe për Yllin, sepse me të vërtetë këta artistë të rinj e meritojnë, shpresoj që edhe artistët tjerë do të shkojnë rrugës së njëjtë si Ylli, sepse me të vërtetë kemi nevojë për mbështetje”, tha ai.

Pas cermonisë, Limani u pyet edhe se a është ky gjesti i parë human, apo ka bërë edhe tjerë, përgjigjja e tij ishte se gjërat për bamirësi i bën në privatësi.

“Nuk i tregoj, se di pse, ndoshta kur i bëj, i bëj shumë në privatësi, i bëj shumë në fshehtësi, s’është që kërkoj ndonjë konfirmim, ose ju me ditë, një gjë që mund ta jap, një hint, kafshët i ndihmoj në mënyrë të jashtëzakonshme, përveçse gjërave tjera për bamirësi që i bëj, unë, shoqëria, ekipa dhe të gjithë. Këto që janë më publike, janë të llojit të tillë, të instrumenteve për kulturë, muzikë dhe rini, të tjerat s’po iu tregoj, s’bën, s’më ka hije”, tha ai. /eo