Debat në Bordin e RTK-së për pagën mbi 17.500 euro të drejtorit artistik të “Akordeve të Kosovës”
Mbledhja e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), e mbajtur të mërkurën, më 22 korrik, është shoqëruar me debat rreth raportit 40-faqësh për organizimin e Festivalit “Akordet e Kosovës”, ku pikë kryesore e diskutimit ishte paga neto prej mbi 17.500 eurosh e paraparë për drejtorin artistik, që për vitin e katërt radhazi të festivalit do të jetë kompozitori Florent Boshnjaku, raporton Zeri.info.
Anëtari i Bordit, Ilirjan Himaj, ngriti këtë çështje derisa në rend të ditës ishte Projeksioni buxhetor për festivalin “Akordet e Kosovës”, që do ta organizojë RTK-ja në muajin tetor. Ai kërkoi sqarime, pasi edhe në mbledhjen e kaluar anëtarët e Bordit ishin ankuar se paga e drejtorit artistik është e lartë.
Himaj dhe disa anëtarë të tjerë kërkuan sqarime për mënyrën sesi është përcaktuar kjo shumë, duke pyetur për metodologjinë e llogaritjes, vëllimin e punës, orët e angazhimit dhe kriteret që kanë çuar në një pagesë të tillë.
“Fakti se kjo pagë është se në dy herët e kaluar, nuk na jep të drejtën ta votojmë tani, ajo që duam të dimë është se cila është metodologjia që është llogaritur kjo pagë”, tha anëtari Flokart Aliu.
Drejtori i Festivalit, Rilind Gërvalla, u përgjigj se shuma nuk është negociuar dhe se kjo është më e arsyeshmja në treg, që në vitin e parë dhe nuk ka ndryshuar. Ai tha se drejtori artistik sjell me vete përvojën e tij profesionale, por edhe pajisje teknike që RTK-ja nuk i posedon, aranzhon këngët e festivalit, ndërsa shtoi se ka përgjegjësi për të gjitha takimet dhe angazhimet me mysafirët dhe këngëtarët.
“Nëse doni sqarime shtesë mund ta thirrni drejtorin artistik këtu, por kjo po ndodh për herë të parë. Unë nuk mund të flas në emër të drejtorit artistik për punën që ai e bën, sepse nuk jam profesionist i asaj fushe”, tha Gërvalla, duke shtuar se një sqarim i tillë nuk ishte kërkuar as në edicionet e para të festivalit, transmeton Zeri.info.
Anëtari tjetër tjetër i Bordit, Ilir Bytyçi, mbështeti Gërvallën, derisa theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për angazhimin gjatë festivalit në tetor, por për një kontratë gjashtëmujore me drejtorin artistik.
“Po flasim për një pagë dhe angazhim që fillon prej janarit, jo vetëm në tetor kur është festivali. Bëhet fjalë për një pagë gjashtëmujore për një profesionist i cili ka edhe instrumentet dhe studion e tij”, u shpreh ai.
Në mbështetje të shumës së propozuar doli anëtari Fatmir Podrimaj, i cili tha se angazhimi i Florent Boshnjakut i jep festivalit garanci artistike.
“Ne po angazhojmë një njeri që sjell me vete edhe vulën artistike për festivalin. Me të gjitha ato që i bën ai, ne kemi garancinë se festivali ‘Akordet e Kosovës’ do të ketë nivel artistik. Nuk e kam problem këtë shumë aspak, është e merituar”, deklaroi Podrimaj.
Gërvalla mbrojti tutje angazhimin e Boshnjakut, duke theksuar përvojën e tij ndërkombëtare.
“Është personi i vetëm që i ka dhënë Shqipërisë vendin e pestë në Eurovision dhe ka përfaqësuar edhe Maltën. Ne nuk guxojmë ta humbim një profesionist të tillë”, tha ai.
Nga ana tjetër, anëtari Radojica Mrdjinac, theksoi se askush nuk po e vë në dyshim vlerën profesionale të drejtorit artistik, por kërkoi arsyetim për shumën.
“Ne nuk jemi duke e zvogëluar vlerën e tij akademike e artistike, por realiteti që është në letër tregon një shumë shumë të madhe. Sipas cilit kriter është përzgjedhur kjo shumë? Këngët që vijnë në festival janë të punuara dhe drejtori artistik nuk merr pjesë në përpunimin e tyre. Ju jeni bartës të projektit dhe duhet ta arsyetoni votën tonë”, tha Mrdjinac, transmeton Zeri.info.
Ndërkohë, anëtari Himaj ngriti edhe çështje që lidhen me ndarjen e kompetencave brenda festivalit, duke pyetur se kush bënë transkriptin e partiturave dhe duke shprehur shqetësim për mënyrën e komunikimit mes stafit.
“Nuk e kam problemin vetëm te pagesa, por te linja e komunikimit. Nëse skenaristi mban provat dhe zgjedh moderatorët, atëherë rrezikojmë t’ia marrim kompetencat drejtorit artistik dhe gjasat janë të humbet linja e komunikimit”, u shpreh Himaj.
Në fund, Gërvalla u zotua për transparencë dhe llogaridhënie sa i përket shpenzimit të buxhetit, duke shprehur gatishmërinë që të përgjigjet pra secilit që ngrit dyshime për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.
“Asnjë gjë mos keni frikë se një cent i buxhetit nga paraja publike do të keqpërdoret, në rast se ndodh, unë këtu jam dhe përgjigjem para çdo komisioni apo denoncimi që mund të bëhet”, tha Gërvalla.
Pavarësisht debatit, shqyrtimi i Draftit të Rishikimit të Projeksionit Buxhetor për organizimin e Festivalit kaloi pa u merr ndonjë vendim që do ndryshonte këtë projeksion. /Zëri