Forcohen lidhjet mes Maltës dhe Kosovës, nënshkruhet memorandumi për kulturë dhe arsim
Kosova dhe Malta kanë forcuar lidhjet mes tyre, duke nënshkruar sot në Prishtinë Memorandumin e Mirëkuptimit, ndërmjet Ambasadores së Maltës në Kosovë, dr. Juliana Scerri Ferrante dhe Bibliotekës së Fëmijëve në Prishtinë, i cili shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor ndërmjet Maltës dhe Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë kryetari i Prishtinës Përparim Rama, zonja e parë e Prishtinës Kristale Rama, konsulli i Nderit i Maltës në Kosovë Remzi Ejupi, si dhe autorja malteze dr. Sandra Hili Vassallo, autore e librit Mikelin, i cili është përkthyer nga gjuha malteze në gjuhën shqipe.

Me këtë rast, Bibliotekës së Fëmijëve iu dhuruan libra falë kontributit të shtëpisë botuese, institucioneve arsimore dhe partnerëve nga Malta, duke pasuruar fondin e saj me botime të reja për lexuesit e rinj dhe duke promovuar shkëmbimin kulturor ndërmjet dy vendeve. /Zëri
