Përkujtohet në ditën e lindjes poeti i shquar Fatos Arapi

Përkujtohet në ditën e lindjes poeti i shquar Fatos Arapi

Kultura July 19, 2026 - 13:30

Në përvjetorin e lindjes së poetit të njohur shqiptar Fatos Arapi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përkujtuar jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Fatos Arapi lindi më 19 korrik 1929 në Vlorë, ku kreu edhe arsimin e mesëm, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Matematikës dhe Ekonomisë në Sofje të Bullgarisë. Gjatë karrierës së tij punoi si gazetar dhe pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, shkruan KultPlus.Me një krijimtari të pasur letrare, Arapi la gjurmë të pashlyeshme në poezinë shqiptare, por edhe në prozë, dramaturgji, publicistikë, studime dhe përkthime. Ndër veprat e tij më të njohura janë novelat “Patat e egra”, “Cipa e borës” dhe “Gjeniu pa kokë”, romanet “Dhjetori i shqetësuar”, “Shokët” dhe “Deti në mes”, si edhe dramat “Partizani pa emër” dhe “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”.

Ai përktheu në shqip edhe autorë të njohur botërorë, si Nikolla Vapcarov, Pablo Neruda dhe Safo, duke pasuruar më tej kulturën letrare shqiptare.Edhe gjatë periudhës së realizmit socialist, Fatos Arapi u vlerësua për kulturën e tij estetike dhe origjinalitetin krijues. Kritika letrare e renditi përkrah Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, si një nga tre poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe të shekullit XX.

Gjatë karrierës së tij ai u nderua me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2008 fitoi “Kurorën e Artë” në manifestimin prestigjioz “Mbrëmjet e Poezisë Strugane”, duke u bërë poeti i parë shqiptar që merrte këtë vlerësim.

Fatos Arapi u nda nga jeta më 11 tetor 2018, në moshën 88-vjeçare, por krijimtaria e tij vijon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe një frymëzim për brezat e rinj.