Malta sjell në Kosovë librin për fëmijë “Mikelini”, synohet përfshirja në institucionet arsimore
Në ambientet e Konsullatës së Nderit të Republikës së Maltës në Prishtinë të martën u promovua libri për fëmijë "Mikelini", i autores malteze dr. Sandra Hili Vassallo, në një aktivitet ku u theksua rëndësia e leximit, edukimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Maltës.
Në këtë ngjarje, përveç autores, morën pjesë ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante, konsulli i Nderit i Maltës në Kosovë, Remzi Ejupi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe nxënës.

Gjatë promovimit u bë e ditur se libri është përkthyer në gjuhën shqipe, me synimin që të shqyrtohet mundësia e përfshirjes dhe shpërndarjes së tij në institucionet arsimore të Kosovës.
Ambasadorja Juliana Scerri Ferrante tha se Malta dhe Kosova tashmë po zhvillojnë projekte të përbashkëta kulturore, të fokusuara në bibliotekat dhe promovimin e leximit te fëmijët.
"Ne kemi një fond për kulturën, përmes të cilit bashkëpunojmë me bibliotekat në Maltë dhe në Kosovë. Trajnojmë bibliotekistë dhe punojmë edhe me fëmijë me autizëm. Projekti ynë i fundit është shkëmbimi i librave të autorëve maltezë dhe kosovarë, në mënyrë që fëmijët e të dy vendeve të kenë mundësi të lexojnë libra të përkthyer në të dyja gjuhët", tha ajo, transmeton Zeri.info.

Autorja Sandra Hili Vassallo u shpreh se "Mikelini" është një libër me rëndësi të veçantë për të, pasi për pak nuk arriti të botohej.
"E dua shumë këtë libër, sepse për pak sa nuk u botua. Për arsye teknike pothuajse nuk do të publikohej, por në fund u botua. Ai fitoi Çmimin Kombëtar të Librit dhe është përkthyer në italisht, arabisht, turqisht dhe tani edhe në shqip. Kjo është një nder i madh për mua dhe jam shumë e lumtur që do ta ndaj me edhe më shumë fëmijë", tha autorja.
Ajo tregoi se historitë e "Mikelinit", si edhe seria tjetër "Imeldina", kanë lindur nga rrëfimet që ua tregonte fëmijëve të saj para gjumit.

"Fillova t'i shkruaja këto tregime sepse gjithmonë kam dashur të shkruaj. Shpresoj që ta shijoni leximin e këtij libri, por edhe të librave të tjerë, në çfarëdo gjuhe. Leximi është një thesar që e fitojmë që në fëmijëri dhe rritemi bashkë me të", u shpreh Vassallo.
Në fund, ajo i inkurajoi fëmijët që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të krijojnë historitë e veta.
"Shpresoj që një ditë edhe ju t'i shkruani historitë tuaja, ose ndoshta t'i ilustroni vetë ato. Unë kam dashur të bëhem shkrimtare që kur isha një vajzë e vogël. Sot kam pasur fatin t'i shoh librat e mi të botuar dhe një nga kënaqësitë më të mëdha është t'i ndaj ato me lexuesit e mi të rinj", përfundoi autorja.

Ky është një nga bashkëpunimet më të fundit që kanë bërë Malta dhe Kosova në fushën e kulturës, pasi më herët janë promovuar edhe fusha të ndryshme si ekonomia dhe turizmi. /Zëri