Rama: Partneriteti me Maltën hap mundësi të reja për Bibliotekën e Fëmijëve në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në Bibliotekën e Fëmijëve në kryeqytet është përuruar seksioni i Maltës dhe është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bibliotekave të Prishtinës dhe rrjetit të bibliotekave të Maltës.
Rama tha se ky është një moment i rëndësishëm për fëmijët, kulturën dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Sot festuam një moment të rëndësishëm për fëmijët, kulturën dhe miqësinë mes Maltës dhe Kosovës”, shkroi ai.
Sipas tij, partneriteti do të sjellë më shumë mbështetje, shkëmbim përvojash dhe aktivitete të përbashkëta për bibliotekat e Prishtinës, me fokus të veçantë te Biblioteka e Fëmijëve.
Në ceremoni morën pjesë ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante, Konsulli i Nderit i Maltws nw Kosovw, Remzi Ejupi, drejtoresha e Bibliotekave të Maltës, Cheryl Falzon, autorja e librave për fëmijë, Dr. Sandra Vassallo, si dhe Kryetari i Gozos me delegacionin e tij.
Rama bëri të ditur se Cheryl Falzon solli libra të rinj nga Biblioteka Kombëtare e Maltës në Valletta për koleksionin maltez në Bibliotekën e Fëmijëve.
Ai theksoi se projekti është financuar nga Fondi i Zëvendëskryeministrit të Maltës për Turizëm dhe Kulturë, duke shënuar herën e parë që një konsullatë përfiton mbështetje përmes këtij fondi.
Në kuadër të kësaj nisme, bibliotekarët e Prishtinës kanë marrë trajnime për praktikat gjithëpërfshirëse të leximit për fëmijët me autizëm dhe fëmijët me nevoja të veçanta. Projekti parashikon gjithashtu përkthimin e një libri për fëmijë nga gjuha malteze në shqip dhe të një libri nga shqipja në maltezisht, si dhe krijimin e një klubi digjital të librit që do të lidhë fëmijët e Prishtinës dhe Vallettës.
“Jemi thellësisht mirënjohës për këtë miqësi, për këtë urë kulturore dhe për besimin e përbashkët se librat i afrojnë fëmijët dhe komunitetet tona me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama, duke shtuar se pret që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në vitet në vijim me projekte të reja në dobi të fëmijëve. /Zëri