Policia në Ferizaj shpëton një person nga një situatë e rrezikshme, ia konfiskon armën
Policia në Ferizaj ka arritur ta shpëtojë një person nga një situatë e rrezikshme, pasi dyshohej se po tentonte t’i bënte keq vetes dhe kishte me vete një armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet se, rasti është raportuar më 6 gusht 2026, rreth orës 18:26, në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku një person mashkull, rreth 31-vjeç, dyshohej se ishte në posedim të një arme dhe po tentonte të lëndonte veten, raporton Zeri.info.
Pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë vendosur menjëherë kontakt me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe largimin e armës deri në arritjen e njësive policore.
Në vendin e ngjarjes kanë reaguar patrullat e Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat kanë arritur ta qetësojnë situatën dhe ta largojnë armën e zjarrit, një pistoletë, të cilën personi e kishte pranë vetes në një stol pushimi.
Falë reagimit të shpejtë të policisë dhe komunikimit të vazhdueshëm me personin, ai është larguar nga zona e parkut dhe është vendosur në një vend të sigurt. Më pas, është shoqëruar në stacionin policor, ku i është ofruar ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.
Për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit.
Policia, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit, ndërsa ka konfiskuar armën e zjarrit së bashku me gjashtë fishekë.
Policia ka falënderuar ekipet emergjente të Spitalit të Ferizajt për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional, duke theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. /Zëri