Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se mashtroi një investitor duke ja marrë rreth 500 mijë euro
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale "Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi" dhe "Mashtrim", nën dyshimin se i ka shkaktuar një shtetasi të huaj dëm financiar prej rreth 500 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas pranimit të informacioneve për veprimet e të dyshuarit.
Hetimet kanë rezultuar me arrestimin e një mashkulli kosovar, i cili dyshohet se ka keqpërdorur investimet e ankuesit, një shtetas i huaj, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej rreth 500 mijë euro, transmeton Zeri.info.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili, pas intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës, ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim. /Zëri