Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për Egzon Reshanin, ishte në kërkim ndërkombëtar
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Egzon Reshanin, i cili dyshohet për disa vepra penale dhe ishte në kërkim me urdhërarreste aktive, si dhe me letërreshtim vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Egzon Reshani ka qenë në kërkim mbi bazën e dy urdhërarresteve aktive, ndërsa ndaj tij ishin lëshuar edhe letërreshtim vendor dhe ndërkombëtar nga gjykata kompetente, me kërkesë të Prokurorisë.
Kërkesa për paraburgim lidhet me procedurat penale për veprat “Detyrimi”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale në vazhdimësi”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria bëri të ditur se ndaj të pandehurit janë duke u zhvilluar edhe procedura të tjera penale në Departamentin për Krime të Rënda, Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Këto hetime kanë të bëjnë me dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Kanosja” ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Sipas Prokurorisë, ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi i dyshuari ka qenë për një kohë të gjatë i pakapshëm për organet e drejtësisë, ishte subjekt i urdhërarresteve dhe letër-rreshtimit vendor e ndërkombëtar, ndërsa ekziston edhe rreziku i arratisjes dhe i pengimit të zhvillimit të procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Prizren theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që çdo person i dyshuar për vepra penale të përballet me drejtësinë. /Zëri