Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për grabitje
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet S.M. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.M. më datë 02.08.2026, rreth orës 01:30 minuta pas mesnate, në Gjakovë, saktësisht te hyrja e banesës së dyqanit “V…” me përdorimin e forcës dhe mjetit të rrezikshëm - thikë për të sulmuar jetën dhe trupin e personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të dëmtuarit A.M. në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në ndërtesën ku gjendet banesa e tij, i pandehuri i afrohet dhe fillimisht i drejtohet me fjalët: “hajde këtu e qiti krejt paret qe i ki” dhe pasi i dëmtuari i përgjigjet: “për çka me ti qit’’ i pandehuri e nxjerr nga xhepi një thikë të cilën ja afron te barku i të dëmtuarit dhe e kanos “qiti paret” ku nga frika e kanosjes, i dëmtuari fillimisht ia dorëzon 20 euro, më pas i pandehuri ka vazhduar ta kanoste duke i thënë: “qiti krejt paret çka i ki” me ç’rast i dëmtuari i ka dorëzuar edhe 30 euro të tjera, i dëmtuari tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa i pandehuri e pengon duke e kapur për qafe, i dëmtuari është liruar duke e shtyrë të pandehurin dhe largohet me vrap, i pandehuri e ndjek dhe në ato momente arrin dëshmitarja E.R. ndërhyn dhe e ndalon të pandehurin, i cili më pas i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët kanosëse: “ti ke me e pagu shtrejt këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon” dhe më pas i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe rastin e raporton në polici, ndërsa i pandehuri largohet në drejtim të panjohur dhe gjendej në arrati, i cili pas punës operative nga zyrtarët policor është arrestuar.
Me këto veprime i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga Neni 317, par. 3 lidhur me par. 1 të KPRK-së.
I pandehuri, me vendim të prokurorit të Shtetit, që nga data 3 gusht 2026 ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale të lartcekur.