Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet se vodhi qengja me vlerë rreth një mijë euro

Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet se vodhi qengja me vlerë rreth një mijë euro

Kronika June 25, 2026 - 10:26

Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për vjedhje të rëndë të bagëtive, ndërsa ka arritur të rikuperojë një pjesë të qengjave të vjedhur dhe t’ia kthejë pronarit.

Sipas njoftimit të Policisë, më 23 qershor 2026, rreth orës 13:00, hetuesit nga Stacioni Policor Prizren Veri kanë identifikuar dhe lokalizuar të dyshuarin me inicialet D.T., nga fshati Serbicë e Poshtme.

Ai dyshohet se më 14 qershor kishte vjedhur disa qengja në fshatin Piranë, me vlerë të përgjithshme rreth një mijë euro, të cilët më pas i kishte shitur te persona të ndryshëm, transmeton Zeri.info.

Me vendim të prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është iniciuar kallëzim penal për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në vazhdim të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas përfundimit të procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara i janë kthyer pronarit.

Policia bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast. /Zëri