Arrestohet 41-vjeçari në Ferizaj, dyshohet se sulmoi bashkëshorten pas një mosmarrëveshjeje

Arrestohet 41-vjeçari në Ferizaj, dyshohet se sulmoi bashkëshorten pas një mosmarrëveshjeje

Kronika June 25, 2026 - 09:47

Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për lëndim trupor, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Policia njoftoi se më 24 qershor 2026, rreth orës 23:45, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se pas një mosmarrëveshjeje, një grua ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj. Sipas Policisë, i dyshuari ishte larguar nga banesa para mbërritjes së zyrtarëve policorë.

Viktima është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar më vonë nga policia.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim trupor”, ndërsa i dyshuari, 41-vjeçar, është ndaluar për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje. /Zëri