Ferizaj: Hynë të maskuar të grabitin në një shtëpi, arrestohet njëri prej tyre

Ferizaj: Hynë të maskuar të grabitin në një shtëpi, arrestohet njëri prej tyre

Kronika February 13, 2023 - 11:44

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 2:20 është arrestuar një person i dyshuar për grabitje.

Sipas Policisë, një 61-vjeçar kishte informuar patrullën policore se persona të maskuar ishin duke vjedhur/grabitur në shtëpinë e tij.

“Patrulla e Policisë menjëherë është nisur në drejtim të shtëpisë dhe më pas në përforcim të tyre janë nisur edhe njësitet e tjera. Me të arritur te shtëpia kanë vërejtur se të dyshuarit ishin brenda shtëpisë dhe në përpjekje për t’i kapur në flagrancë të dyshuarit kanë kërcyer nga kati i dytë, duke u larguar nga oborri në fushë të hapur në drejtime të ndryshme.

Bëhet e ditur se pas ndjekjes së tyre, Policia kishte arritur ta ndalojë dhe arrestojë një person, i cili kishte rezistuar dhe kishte sulmuar zyrtarët policorë.

“Si dëshmi tek i dyshuari janë gjetur: stoli ari, një mjet i mprehtë (thikë) dhe një bateri ndriçuese”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të ditur se tre të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur dhe se kanë nisur hetimet.

“Nga hetimet e para është mësuar se katër persona me maska kishin depërtuar me forcë brenda në shtëpi dhe sipas viktimës femër, kosovare e moshës 34-vjeçare, e cila ishte në gjumë me katër fëmijët e saj, posa kishte dëgjuar zhurmën arrin përmes telefonit ta njoftojë vjehrrin e saj, e që më pas ai njofton policinë, ndërsa viktima has të maskuarit, të cilët ishin me armë zjarri (pistoleta) në dorë. Të dyshuarit në prezencë të saj dhe fëmijëve, nën kërcënimin e armëve, kanë grabitur stoli ari dhe gjësende të tjera në vlerë rreth 20 mijë euro”, thuhet ndër të tjera.

Bëhet e ditur se personi i arrestuar është I.R., mashkull, shqiptar, shtetas i Serbisë, i moshës 48-vjeçare, që është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj për procedura të intervistimit, verifikimit dhe hetimit dhe me vendim të prokurorit të rastit dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa në kërkim policor mbeten të dyshuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje. /Zëri