Personi që humbi jetën në QKUK po vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se një person i paraburgosur që mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë ka vdekur në QKUK.
Sipas njoftimit, viktima gjatë ditës së djeshme kishte shfaqur disa çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.
Ai ishte trajtuar nga personeli shëndetësor i Burgut, por për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore më pas është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Nga aty mjeku ka konstatuar se duhet të transferohet në QKUK.
“Pas pranimit në QKUK, kanë filluar menjëherë procedurat diagnostikuese dhe trajtimi i tij nga stafi mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe i njëjti ka vdekur.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet ndër të tjera. /Zëri