Sekuestrohen gjashtë motoçikleta në Pejë gjatë aksionit për sigurinë në shkolla
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili synon rritjen e sigurisë dhe parandalimin e kundërvajtjeve në komunikacion.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet se, nga Njësia e Trafikut për qytet e Stacionit Policor në Pejë janë sekuestruar gjashtë (6) motoçikleta për shkak të kundërvajtjeve në komunikacion.
Ndër shkeljet e evidentuara janë:
Drejtimi i motoçikletës pa patentë shofer;
Drejtimi i motoçikletës pa regjistrim;
Drejtimi i motoçikletës pa helmetë, si dhe kundërvajtje të tjera.
Policia ka bërë të ditur se plani operativ “Siguria në shkolla” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë do të vazhdojë me aktivitetet në terren, me qëllim të parandalimit të aksidenteve, derisa Policia do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në komunikacion”, thuhet në njoftimin e PK-së.