Çifti nga SHBA-ja zgjedh Valbonën për muaj të mjaltit
Muajin e mjaltit vendosën ta kalojnë në një vend për të cilin deri pak muaj më parë dinin shumë pak. Sot, pas dy ditësh në Shqipëri, thonë se kanë gjetur një nga destinacionet më të bukura që kanë vizituar ndonjëherë.
Ky çift i ri nga Shtetet e Bashkuara ndodhet për herë të parë në Evropë dhe ndalesën e parë e ka bërë në luginën e Valbonës, aty ku natyra dhe ujërat e kristalta i kanë lënë pa fjalë.
Historia që i solli deri në Alpet shqiptare është po aq e veçantë sa edhe vetë udhëtimi. Shqipërinë nuk e zbuluan nëpër guida turistike, por nga dy udhëtare skoceze që kishin përshkuar gjithë Evropën.
Kur i pyetën se cili ishte vendi më i bukur që kishin vizituar, përgjigjja ishte e menjëhershme: Shqipëria.
“Vijmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri. Erdhëm para dy ditësh dhe zbritëm në Tiranë. Do të qëndrojmë në Valbonë edhe për një ditë. Pas kësaj do të bëjmë ngjitjen për në Theth, ku do të qëndrojmë për tre ditë. Deri tani na pëlqen shumë Shqipëria, është shumë e bukur dhe ka pamje mahnitëse. Kemi notuar edhe në ujërat e kaltërta. Është shumë i pastër, siç mund ta shikoni.
Po udhëtonim për në Kosta Rika dhe takuam dy vajza nga Skocia, të cilat kishin udhëtuar në të gjithë Europën. I pyetëm për vendin e tyre të preferuar. Na thanë të vijmë në Shqipëri, pasi është vendi më i bukur në Evropë.
Është shumë bukur në Shqipëri. Ka pamje piktoreske. Kjo është hera e parë në Shqipëri dhe, në fakt, hera e parë në Europë. Është shteti i parë që po vizitojmë. Katër ditë më parë jemi martuar dhe kemi ardhur për muajin e mjaltit”, shprehen ata.
Nga Valbona, itinerari i tyre do të vijojë drejt Thethit, për të eksploruar shtigjet malore dhe peizazhet alpine që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë nga e gjithë bota./rtsh