Retorika propaganduese e Petkoviqit: Kontrollin e Policisë në Prizren e cilëson “repression”

Retorika propaganduese e Petkoviqit: Kontrollin e Policisë në Prizren e cilëson “repression”

Aktuale July 26, 2026 - 19:51

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar sulmet e tij verbale ndaj institucioneve të Kosovës, duke ngritur akuza ndaj Policisë së Kosovës lidhur me masat e sigurisë gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Petkoviq pretendoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin kryer kontrolle “të panevojshme dhe tendencioze” ndaj besimtarëve serbë që morën pjesë në ceremoninë fetare.Sipas tij, këto masa të sigurisë përbënin një “akt represioni”, ndërsa akuzoi institucionet e Kosovës se kinse kanë penguar edhe punën e disa mediave në gjuhën serbe.

“Qëllimi ishte të krijohej një Gazimestan i ri”, pretendoi Petkoviq, duke përdorur një narrativë të njohur politike të Beogradit që synon të paraqesë institucionet e Kosovës si kërcënim ndaj komunitetit serb.

Megjithatë, masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës gjatë aktiviteteve publike, përfshirë edhe ato fetare, janë pjesë e procedurave të zakonshme të sigurisë që zbatohen për garantimin e rendit publik dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve.

Kontrollet policore në tubime me numër të madh pjesëmarrësish kryhen për të parandaluar incidente të mundshme dhe nuk lidhen me përkatësinë etnike apo fetare të qytetarëve.

Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë theksuar vazhdimisht se detyra e tyre është garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore.

Deklaratat e Petkoviqit vijnë në një periudhë kur zyrtarë të Beogradit kanë intensifikuar retorikën politike ndaj institucioneve të Kosovës, duke përdorur shpesh akuza për “diskriminim” dhe “presion” ndaj serbëve, ndërsa autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar këto pretendime si pjesë të një fushate propaganduese dhe dezinformuese.

Qeveria e Serbisë dhe zyrtarët e saj vazhdojnë ta përdorin çështjen e Kosovës si një nga temat kryesore politike, ndërsa përmes deklaratave publike shpesh akuzojnë Prishtinën për veprime ndaj komunitetit serb, pa ofruar prova konkrete për pretendimet e bëra.Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë përsëritur se çdo veprim i autoriteteve të sigurisë bazohet në ligjet në fuqi dhe se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk mund të interpretohet si veprim kundër një komuniteti të caktuar./Telegrafi