Thaçi hoqi dorë nga vizitorët, mbrojtja jep detaje në përgjigjen për ZPS

Thaçi hoqi dorë nga vizitorët, mbrojtja jep detaje në përgjigjen për ZPS

Aktuale July 25, 2026 - 18:47

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hequr dorë nga vizitorët në pritje të aktgjykimit të shkallës së parë më 16 shtator.

Gazetarja e Klan Kosovës dha detajet nga ky zhvillim.

“Në fakt kjo është një ky është një detaj i cili është zbuluar tek përgjigjja e dytë apo kundërpërgjigja e ekipit të mbrojtës së Thaçit për Zyrën e Prokurorit të Specializuar për çështjen e dorëzonisë prej 50.000€ që e kishte ofruar Thaçi për lirim me kusht. Natyrisht se ka edhe detaje të tjera që i bën publike mbrojtja për herë të parë. Mirëpo ndër to bëhet e ditur se Thaçi ka hequr dorë nga kërkesa për ta rishikuar vendimin e gjyqtarit të vetëm, në këtë rast Kristopher Gosnell, për të mos i lejuar vizitat e Thaçit me 10 persona të ndaluar që ka qenë një vendim që është marrë tash një vit”, deklaroi gazetarja Mujku.

Ajo shtoi se në vendimin e marrë në korrik të vitit 2025, kanë qenë 11 persona të cilëve u ishte ndaluar ta vizitojnë Thaçin, por për shkak se njërit prej tyre i është hequr kjo masë në ndërkohë, Thaçi qysh në janar kur ka qenë vendimi i fundit i gjyqtarit të vetëm Kristopher Gosnel, ka hequr dorë nga kërkesa për ta rishikuar këtë vendim.

“Kjo sepse sipas mbrojtjes së Thaçit, ai nuk ka për qëllim që ta ketë ndonjë vizitë, pra ta realizojë ndonjë takim apo bisedë me asnjërin prej këtyre vizitorëve, dhe rrjedhimisht nuk ka për qëllim që ta pengojë në ndonjë formë procesin gjyqësor sikurse pretendon prokuroria, andaj është njëra prej arsyeve që ka kërkuar që Thaçi t’i lejohet lirimi me kusht sepse as në qendrën e paraburgimit nuk ka pasur qëllime që të kryej vizitë me këta 10 persona dhe njësoj do të vepronte edhe po të lihej i lirë me kusht jashtë”, ka thënë Mujku.