Haddad: Vizita në Kosovë, pjesë e angazhimit francez për Ballkanin Perëndimor dhe ribashkimin e Evropës

Haddad: Vizita në Kosovë, pjesë e angazhimit francez për Ballkanin Perëndimor dhe ribashkimin e Evropës

Aktuale July 27, 2026 - 14:30

Ministri i deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, njoftoi në X për nisjen e një vizite dyditore në Kosovë.

Haddadi tha se mbërriti në Prishtinë “me qëllim forcimin e marrëdhënieve” ndërmjet dy vendeve, ndërsa tregoi se çfarë më saktësisht ka në agjendë.

“Kam mbërritur në Kosovë për një vizitë dyditore me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Në agjendë: frankofonia, investimet e AFD-së, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe çështjet rajonale”, shkroi ai.

Ministri francez theksoi se kjo vizitë vjen pas drekës së punës ndërmjet presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të mbajtur më 17 mars.

“Kjo vizitë vjen pas drekës së punës mes presidentit Emmanuel Macron dhe Kryeministrit Albin Kurti më 17 mars dhe është pjesë e forcimit të angazhimit francez në Ballkanin Perëndimor për ribashkimin e kontinentit tonë evropian”, shkroi ai.

Haddad sot paradite u takua me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Gjatë takimit, të dy vendet nënshkruan pesë marrëveshje.