Rama njofton bashkëpunim me PDK-në në Prishtinë, Musmurati emërohet nënkryetare

Rama njofton bashkëpunim me PDK-në në Prishtinë, Musmurati emërohet nënkryetare

Aktuale May 05, 2026 - 11:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar nisjen e një bashkëpunimi të ri politik në kryeqytet me Partinë Demokratike të Kosovës, me synim zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Rama ka theksuar se ky bashkëpunim synon një qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në funksion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe interesit publik.

Në kuadër të këtij zhvillimi, ai ka bërë të ditur se Besianë Musmurati është emëruar në pozitën e nënkryetares së kryeqytetit.

Sipas Ramës, Musmurati sjell përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare, me mbi një dekadë angazhim në fusha si diplomacia, politikat publike dhe menaxhimi institucional. Ai ka vlerësuar kontributin e saj në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu, është theksuar edhe përvoja e saj në nivel lokal, veçanërisht në drejtimin e arsimit në kryeqytet, ku sipas tij ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Në fund, Rama i ka uruar suksese Musmuratit në detyrën e re, në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit dhe Republika e Kosovës.

Ndryshe, më herët LDK-ja njoftoi se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje.

"LDK-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani", thuhej në reagimin e LDK-së. /Zëri