Kosova, anëtare me të drejta të plota në ERRA
Në Asamblenë e Përgjithshme të Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (Energy Regulators Regional Association – ERRA), të mbajtur më 28 prill në Bratislavë, Kosova është pranuar anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të rregullatorëve të energjisë.
Sipas njoftimit të ZRRE-së, anëtarësimi me të drejta të plota përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin dhe avancimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
“Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e qëndrueshëm dhe angazhimin aktiv të ZRRE-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s”.
“ZRRE-ja mbetet e përkushtuar për të avancuar më tej kornizën rregullatore në Republikën e Kosovës, duke promovuar transparencë, qëndrueshmëri dhe integrim të tregut energjetik në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi, ZRRE-ja do të intensifikojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë dhe do të kontribuojë në mënyrë aktive në zhvillimin e politikave dhe mekanizmave që mbështesin një sektor energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.