Pasi u rreshtua politikisht krah Vjosa Osmanit, Fahrije Hoti: S’do t’ju zhgënjej
Foto: Facebook

Pasi u rreshtua politikisht krah Vjosa Osmanit, Fahrije Hoti: S’do t’ju zhgënjej

Aktuale May 04, 2026 - 12:59

Pas njoftimit të ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se aktivistja dhe sipërmarrësja nga Krusha e Madhe, Fahrije Hoti, do t’i bashkohet politikës dhe do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit, ka ardhur edhe reagimi i saj i parë publik.

Nëpërmjet Facebook-ut, Hoti ka konfirmuar nisjen e një rruge të re politike, duke theksuar se kjo është një vazhdim i angazhimit të saj jetësor për komunitetin dhe gratë.

“Sot nis një rrugëtim të ri, krah për krah me Presidenten Vjosa Osmani”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se vjen nga Krusha, një vend që përfaqëson forcën dhe qëndresën e grave që kanë humbur gjithçka, por jo njëra-tjetrën.

Reagimi i plotë i Fahrije Hotit, pa ndërhyrje:

Sot nis një rrugëtim të ri, krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani.

Vij nga Krusha. Vij nga një kohë kur gratë e fshatit tim humbën gjithçka, përveç njëra-tjetrës. Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë.

Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë. Për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime.

Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën.

Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t'ju zhgënjej!

E juaja,

Fahrija