Unaza e kryeqytetit, ndër prioritetet kryesore të kryetarit Rama për këtë vit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar planet e Komunës për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.
Rama në një intervistë të shkurtër për Ekonominë Online përmendi unazën e kryeqytetit dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të mbahen në vitin 2030.
“Oh kemi shumë plane, këto janë të gjitha publike. Pra planet transformuese për qytetin, projekte të shumta, unazën e kryeqytetit, po bëhemi gati edhe për lojërat olimpike, lojërat mesdhetare të vitit 2030. Pra na presin punë të mëdha me projekte të mëdha. Prandaj edhe për këtë po them që për nder të heronjve, për nder të sakrificës së madhe që e kanë dhënë edhe të gjithë heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të vazhdojmë me punën tonë të përbashkët për të mirën e vendit tonë”, tha Rama.
Ndryshe sot në Komisionin për Kulturë, Turizëm dhe Sport do të shqyrtohet edhe Projektligji për lojërat mesdhetare “Prishtina 2030”.