Kusari-Lila për çështjen e presidentit: Uroj që sot të ketë marrëveshje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, për shkak të kostos dhe pasojave që ato mund të sjellin.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ajo tha se deri tani iniciativat për zgjidhjen e çështjes së presidentit kanë ardhur vetëm nga kryeministri dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Uroj që sot të ketë marrëveshje. T’ju rikujtoj se gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ka qenë vetëm kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizja Vetëvendosje që kanë bërë propozime për emrin e presidentit. Na asnjë rast deri më tani nga të gjitha takimet, qoftë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka pasur propozime ose nuk ka pasur ndonjë iniciativë për të zgjidhur çështjen e presidentit odr për të dhënë emër konkret, në të cilin ne do të mundë të jepnim përgjigjen”, tha ajo.
Kusari-Lila theksoi se shpreson për një qasje pozitive nga të gjitha palët, duke nënvizuar se procesi po udhëhiqet nga kryeministri në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prandaj megjithëse shpresoj që do të ketë një marrëveshje, përkundër se kjo është kompetencë e drejtpërdrejtë e kryeministrit, i cili zhvillon në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje këto takime dhe vendit të fitojë atë çfarë më së paku e ka të nevojshme apo e ka fare të panevojshme shkuarjen në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të kenë përveçse kosto, vonesa dhe ngecje në funksionet vitale të shtetit tonë, përkundër se do të rrezikonin edhe disa prej proceseve të cilat tashmë janë në një dinamikë shumë pozitive të vendit tonë”, tha ajo.
Ajo shtoi se deri tani nuk ka pasur iniciativa konkrete nga partitë e tjera politike, ndërsa përmendi edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me kërkesën për ofertë me shkrim.
“Unë uroj që të ketë një qasje pozitive, megjithatë deri më tani kemi parë përpjekje të vazhdueshme vetëm nga njëra anë për të bërë zgjidhjen për emrin e presidentit apo presidentes. Po e ritheksoj që deri më tani ka pasur vetëm iniciativë apo nisë apo ftesë nga kryeministri Kurti, ndërsa Partia Demokratike me aq sa kemi dëgjuar të gjithë bashkë përmes opinionit publik është se pret një ofertë me shkrim”, tha ajo.
Ministrja theksoi se, nëse është e nevojshme, ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim, por sipas saj, thelbësore mbetet diskutimi për parimet dhe emrat konkretë.
“Nëse ftesa duhet shkuar me shkrim, ndoshta edhe mund të bëhet, përkundër se duhet prapë të ulet e të diskutohet mbi parimin e zgjedhjes dhe emra konkretë të cilët edhe Partia Demokratike e Kosovës mund t’i propozojë për president të vendit. Për shkak se tashmë jemi në etapën finale që duhet të zgjidhet titullari i institucionit më të lartë në vend para se të ndodhë ajo që nuk e duam, që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ajo. /EO
