Gruda reagon ndaj Kurtit: Jeni ju ai që po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve
Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti foli edhe për çështjen e presidentit, teksa u shpreh se shkuarja në zgjedhjet e parakohshme nuk është opsion, sepse këto cikle zgjedhjesh do t’i bënin dëm vendit dhe se nuk do të kishte ndryshim në rezultate.
Për këtë deklaratë ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i cili ka thënë se sikur Kurti të mos i donte zgjedhjet, do të merrte më shumë veprime konstruktive.
“Albin Kurti, po të mos donte zgjedhje, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë. Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje”, theksoi Gruda.
Sipas tij, deklaratat në javën e fundit të afatit të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë më peshë dhe se kjo ideologji është për keqardhje.
“Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”, theksoi Gruda. /Zëri