Qeveria e Kosovës zgjat afatin e strehimit për refugjatët dhe kategoritë e mbrojtura
Foto: Laura Hasani

Qeveria e Kosovës zgjat afatin e strehimit për refugjatët dhe kategoritë e mbrojtura

Aktuale April 20, 2026 - 09:36

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektrregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/2019 për Integrimin e të Huajve, e cila parasheh zgjatjen e afatit të strehimit elementar për kategoritë e mbrojtura ndërkombëtarisht.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndryshimi është bërë për shkak të vështirësive të integrimit të këtyre personave edhe pas përfundimit të afatit aktual dyvjeçar.

“Ky plotësim-ndryshim rregulloreje ka për qëllim mundësimin e zgjatjes së afatit të strehimit elementar për personat me status refugjati, personat me status të mbrojtjes plotësuese, si dhe personat me mbrojtje të përkohshme përtej periudhës dyvjeçare. Sipas rregullores në fuqi, këtyre kategorive u sigurohet strehim elementar deri në dy vjet. Megjithatë, praktika ka dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i këtyre personave, edhe pas përfundimit të këtij afati, nuk kanë arritur të integrohen plotësisht, çka ka krijuar nevojën e ndryshimit të kësaj dispozite dhe zgjatjen e afatit të strehimit”, tha ai.