Jagxhiu: Procesi i racionalizimit të agjencive, ndër reformat kryesore në kuadër të reformës së administratës publike
Qeveria e Kosovës ka proceduar për votim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive, si pjesë e reformës së administratës publike dhe procesit të integrimeve evropiane.

Në një konferencë për media, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se ky projektligj synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e funksionimit institucional.
“Qëllimi i këtij ligji është rritja e efikasitetit, e llogaridhënies në qeverisje dhe përmirësimi i administrimit në sektorin e kulturës dhe atë të ekonomisë. Ky ligj avancon procesin e racionalizimit të agjencive. Përmes këtij ligji, dhjetë institucione të trashëgimisë kulturore konsolidohen në një institucion të vetëm, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, i cili sipas praktikave më të mira të BE-së, integrohet në Ministrinë e Ekonomisë. Procesi i racionalizimit të agjencive është një nga reformat kryesore në kuadër të reformës së administratës publike që tash udhëhiqet nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Kjo reformë ka për qëllim organizimin sa më të mirë dhe sa më racional të administratës publike, rritjen e shpejtësisë së ekzekutimit të veprimeve dhe shërbimeve, rritjen dhe promovimin e efikasitetit, e efektivitetit institucional dhe vendosjen e vijave të qarta të llogaridhënies ndërmjet agjencive dhe ministrive”, tha ai.
