Hajrizi shënon në portën e gabuar, Nivokazi shpëton Sionin me gol në fund
Sioni ka shpëtuar një pikë në udhëtim te Luzerni, në një ndeshje ku protagonistë ishin dy futbollistët e Kosovës, Kreshnik Hajrizi dhe Rilind Nivokazi.
Përballja e vlefshme për javën e 12-të të Superligës së Zvicrës përfundoi 1-1, me të dy golat që u shënuan në pjesën e dytë.
Fillimisht ishte Hajrizi që, në minutën e 65-të, dërgoi topin në rrjetën e portës së skuadrës së tij, duke i dhënë epërsinë Luzernit. Mbrojtësi kosovar ishte në fushë deri në minutën e 72-të, kur u zëvendësua.
Në të njëjtën minutë, në lojë për Sionin u inkuadrua Rilind Nivokazi, i cili u shndërrua në protagonist vetëm shtatë minuta më vonë.
Sulmuesi realizoi në minutën e 79-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1-1 dhe duke i siguruar skuadrës mysafire një pikë.
Për Sionin u paraqitën gjithashtu Donat Rrudhani dhe Benjamin Kololli, ndërsa portieri Simon Simoni e ndoqi takimin nga banka rezervë e Luzernit.
Për Nivokazin, ky ishte një tjetër kontribut në një edicion pozitiv, pasi 26-vjeçari numëron tashmë katër gola dhe tri asistime në të gjitha garat.
Pas këtij barazimi, Sioni renditet në pozitën e tretë me 23 pikë, ndërsa Luzerni zë vendin e tetë me 13 pikë. /telegrafi