Botërori 2026, biletat e rishitjes më të lira se ato zyrtaret e FIFA-s
Biletat për Kupën e Botës 2026 në tregun e rishitjes po shiten më lirë sesa ato të ofruara drejtpërdrejt nga FIFA, duke shtuar pritshmëritë që çmimet mund të bien më tej në javët para nisjes së turneut.
FIFA hapi dje një fazë të re shitjeje dhe për ndeshjen hapëse të SHBA-së kundër Paraguajit në Los Anxheles më 12 qershor, një biletë e kategorisë së parë kushtonte 2 735 dollarë.
Megjithatë, në platformën zyrtare të rishitjes së FIFA-s, bileta të së njëjtës kategori po ofroheshin nga 1 300 dollarë, më pak se gjysma e çmimit të shitjes direkte.
Kjo diferencë ka nxitur debat mbi strategjinë dinamike të çmimeve të përdorur nga FIFA.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj çmimeve të larta duke deklaruar për “New York Post” se “as unë nuk do të paguaja aq”.
Ndërkohë, FIFA vazhdon të mbrojë politikën e saj të çmimeve, duke argumentuar se ekzistojnë edhe bileta më të përballueshme.
Në faqen kryesore të shitjes së biletave nuk kishte më vende të disponueshme për 10 ndeshje, përfshirë finalen, ndeshjen Portugali-Kolumbi dhe disa takime të mundshme të fazës me eliminim direkt ku mund të luajë Lionel Messi me Argjentinën.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se organizata ka marrë rreth 500 milionë kërkesa për bileta dhe ka shitur mbi 90% të inventarit të përgjithshëm, ndërsa deri tani janë shitur më shumë se 5,0 milionë bileta./atsh