Mediet spanjolle: Arbeloa, afër largimit nga Reali Madrid

Mediet spanjolle: Arbeloa, afër largimit nga Reali Madrid

Sport May 08, 2026 - 13:47

E ardhmja e Alvaro Arbeloa te Real Madrid duket gjithnjë e më e pasigurt, me raportime që sugjerojnë se ndarja mes palëve në fund të sezonit është shumë e mundshme.

Sipas mediave spanjolle, duke përfshirë “Mundo Deportivo”, drejtuesit e klubit janë të pakënaqur me menaxhimin e situatës brenda skuadrës gjatë muajve të fundit.

Arbeloa, sipas këtyre burimeve, ka humbur një pjesë të autoritetit në zhveshtore, ndërsa tensionet mes lojtarëve janë rritur ndjeshëm.

Një nga episodet që ka nxitur më shumë diskutime lidhet me një përplasje në stërvitje mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, e cila më pas është shtrirë edhe në dhomat e zhveshjes. Raportimet theksojnë se situata nuk është menaxhuar si duhet nga stafi teknik, duke rritur pakënaqësitë brenda klubit.

Gjithashtu, gjatë sezonit janë përmendur edhe tensione të tjera me lojtarë si Dani Carvajal dhe Dani Ceballos, çka ka shtuar më tej pasigurinë për stabilitetin e ekipit.

Në këtë kontekst, sipas medieve spanjolle, Real Madridi po shqyrton seriozisht një ndryshim në fund të sezonit, me synimin për të sjellë një profil trajneri më me përvojë, që mund të rikthejë qetësinë dhe ekuilibrin brenda skuadrës.