Prishtina e Re fiton me përmbysje ndaj Prishtinës
Prishtina e Re ka arritur fitore dramatike ndaj Prishtinës me rezultat 3-2, të mërkurën në kuadër të javës së 33-të të Superligës së Kosovës, duke përmbysur një disavantazh prej dy golash.
Pjesa e parë u karakterizua nga disa raste për shënim, por goli i vetëm erdhi në minutat shtesë. Pas një prekjeje të topit me dorë në zonë, gjyqtari akordoi penallti, të cilën Leotrim Kryeziu e konkretizoi për epërsinë 0-1.
Prishtina e nisi fuqishëm pjesën e dytë dhe arriti të dyfishojë avantazhin, kur Dren Zeqiri asistoi për Ardian Mujën, i cili realizoi për 0-2.
Megjithatë, reagimi i Prishtinës së Re ishte i menjëhershëm. Ibrahim Kargbo ngushtoi shifrat në 1-2, duke rikthyer shpresat për vendasit.
Ndeshja mori kthesë vendimtare pas përjashtimit të Arjol Bllacës, i cili u ndëshkua me karton të kuq vetëm 13 minuta pasi u inkuadrua në lojë, duke e lënë Prishtinën me një lojtar më pak.
Me epërsinë numerike, Prishtina e Re rriti presionin dhe arriti të barazojë rezultatin nga penalltia, të cilën e realizoi Nedim Mekic për 2-2.
Përmbysja e madhe u vulos në minutën e 77-të, kur sërish Ibrahim Kargbo gjeti rrugën e rrjetës për 3-2, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të çmuara në luftën për mbijetesë.
Pas kësaj humbjeje, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Prishtina e Re, megjithëse ende në fund të tabelës me 31 pikë, mban gjallë shpresat për qëndrim në elitë.