Juventusi arrin marrëveshje me Alisson

Juventusi arrin marrëveshje me Alisson

Sport May 06, 2026 - 18:20

Portieri 33-vjeçar i Liverpool, Alisson Becker, është pranë largimit nga Anglia dhe rikthimit në Itali.

Sipas gazetarit Nicolo Schira, portieri me përvojë ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Juventus, për një kontratë që do të zgjasë deri në verën e vitit 2029.

Klubi nga Torino është aktualisht në negociata me Liverpoolin për transferimin e Alisson, megjithëse anglezët ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij.

Alisson është i njohur me Serie A, pasi ka luajtur për Roma nga viti 2016 deri në vitin 2018. Pas dy sezonesh me skuadrën romake, ai u transferua te Liverpooli.

Që nga vera e vitit 2018, Alisson ka zhvilluar 332 ndeshje për Liverpoolin, duke mbajtur portën e paprekur në 137 prej tyre.

Gjatë kohës së tij në Angli, portieri brazilian ka fituar Ligën e Kampionëve, dy tituj të Ligës Premier, Superkupën e Evropës, Kupen FA dhe dy herë EFL Cup.