Meriton Korenica kërkohet nga rivali i Cluj në elitën e futbollit rumun

Meriton Korenica kërkohet nga rivali i Cluj në elitën e futbollit rumun

Sport May 05, 2026 - 21:05

Futbollisti kosovar Meriton Korenica mund të ndryshojë klub gjatë verës, por jo domosdoshmërisht edhe kampionat, pasi në Rumani po qarkullojnë raportime se ai mund të transferohet nga Cluji te Rapid Bukureshti.

Mediumi rumun “Fanatik” ka raportuar të martën se Rapidi po e konsideron Korenicën si një nga përforcimet e synuara për sezonin e ardhshëm.

Sipas të njëjtit burim, transferimi i mundshëm lidhet edhe me trajnerin aktual të Clujit, Daniel Pancu, i cili thuhet se ka arritur marrëveshje për ta marrë drejtimin e Rapidit nga edicioni i ardhshëm.

Në mesin e katër lojtarëve që Pancu dëshiron t’i afrojë te Rapidi përmendet edhe Korenica.

Djaloshi nga Rahoveci ka pasur oferta nga SHBA-të dhe Qipro, në verë, por klubi nuk donte ta lironte.

Mesfushori 29-vjeçar ka kontratë me Clujin deri në verën e vitit 2027, ndërsa në edicionin aktual ka qenë ndër lojtarët më produktivë të ekipit me 12 gola dhe 9 asistime në të gjitha garat.

Te Rapid Bukuresht luan Drilon Hazrollaj, ndërsa më parë me këtë fanellë kanë shkëlqyer Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi. /telegrafi