Eros Grezda reagon pas incidentit: Nuk duroj të më fyejnë për kombësinë

Eros Grezda reagon pas incidentit: Nuk duroj të më fyejnë për kombësinë

Sport June 01, 2020 - 14:39
Lajmet e fundit nga sporti

Futbollisti i Osijekut, Eros Grezda, ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm, ku pas ndeshjes ndaj Rijekës në Kupën e Kroacisë e goditi me grusht në kokë futbollistin Antonio Colak, transmeton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Eros Grezda godet me grusht në kokë lojtarin kundërshtar pas ndeshjes ndaj Rijekës

Ky incident ndodhi në parkingun para dhomave të zhveshjes, derisa ndeshja ishte mbyllur me fitoren 3:2 të Rijekës, që u kualifikua në finale të kupës.

Në uebfaqen e klubit të Osijekut Grezda rrëfen arsyet e ngjarjes.

Ai u shpreh se sulmuesi Colak e ka fyer në ndjenja personale dhe kombëtare gjatë takimit, i cili ishte tepër i nxehtë për 90 minuta.

“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së medieve, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekën. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen”, u shpreh Grezda.

“Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat, nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjithë hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, tha reprezentuesi i Shqipërisë pas ngjarjes së ndodhur.

Kodi i Etikës së futbollit kroat parashikon që nëse një lojtar godet fizikisht kundërshtarin, pezullohet 2-6 ndeshje dhe nëse shkalla e dëmtimit është e rëndë, atëherë ai mund të përjashtohet për 6 muaj nga futbolli. /Zëri