Gjobiten 61 persona për shkelje të ndryshme në trafik në Ferizaj
Njësia e Motoçikletave në kuadër të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, e cila vepron në tërë territorin e Rajonit të Ferizajt, përfshirë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, ka vazhduar aktivitetet në funksion të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.
Gjatë javës së kaluar, pjesëtarët e kësaj njësie kanë shqiptuar gjithsej 61 tiketa për kundërvajtje në trafik.
Nga numri i përgjithshëm i masave të shqiptuara:
- 12 për mosrespektim të shenjave të trafikut;
- 8 për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit;
- 7 për mosmbajtje të distancës së sigurisë;
- 5 për shkelje të rregullave të peshores nga shoferët e kamionëve
- 29 për kundërvajtje të tjera.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.
“Kujdesi, përqendrimi dhe respektimi i rregullave të trafikut shpëtojnë jetë. Udhëtoni me përgjegjësi dhe kontribuoni për një trafik më të sigurt për të gjithë”, thekson Policia. /Zëri
