RENEA arreston të shumëkërkuarin Ylli Zalla në Krujë, i shmangej drejtësisë nga viti 2025

RENEA arreston të shumëkërkuarin Ylli Zalla në Krujë, i shmangej drejtësisë nga viti 2025

Kronika August 17, 2026 - 11:41

Ministria e Brendshme ka bërë të ditur këtë të hënë se është arrestuar në Krujë i shumëkërkuari Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë prej viti 2025 dhe konsiderohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas njoftimit, kapja e tij u realizua gjatë operacionit të koduar “Fundi i Arratisë”, i zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat e DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Lidhur me aksionin ka reaguar edhe vetë Ministri i Brendshëm, i cili ka përgëzuar strukturat e Policisë së Shtetit për profesionalizmin e treguar në terren. Ai ka theksuar se finalizimi me sukses i këtij operacioni tregon angazhimin e pandërprerë të policisë për vendosjen para drejtësisë të çdo personi të kërkuar që i shmanget ligjit.

“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Në të kaluarën, ai është arrestuar dhe hetuar për çështje të lidhura me armët dhe prodhimin e “bombave artizanale”.

Më herët, autoritetet kanë sekuestruar një arsenal armësh në banesën e tij në Fushë-Krujë. Po në kuadër të hetimeve për një atentat mafioz në Rinas, Zalla është përmendur nga autoritetet për lidhje me personat e dyshuar për ngjarjen. Sipas hetimeve të asaj kohe, nga banesa e tij dyshohej se kishte dalë edhe automjeti i përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa Zalla dyshohej se i kishte ndihmuar për sigurimin e armëve.

Zalla ka rënë në pranga edhe në vitin 2014, në një operacion ku u raportua për prodhim të bombave artizanale. /euronews