Kapen në flagrancë gjatë shitblerjes së drogës, arrestohen dy të rinj në Tiranë
Goditet një rast i shitblerjes së drogave të forta në kryeqytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Momenti”, policia ka arrestuar në flagrancë dy të rinj gjatë momentit të shitblerjes së drogës.
Një prej të arrestuarve, 19-vjeçari D.Sh. u kap në flagrancë në rrugën “Egnatia”, duke i dorëzuar 26-vjeçarit D.F., një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më tej, nga kontrolli i banesës i 19-vjeçarit u sekuestruan 41 gramë të tjerë të kësaj lënde. Ndërkaq policia sekuestroi dhe 252 gramë lëndë narkotike kokainë, një automjet tip “BMW” dhe tre celularë, shkruan rtsh.al.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet si rezultat i punës operative, operacioni antidrogë, i koduar “Momenti”. Goditet në flagrancë, një rast i shitblerjes së drogave të forta.
Arrestohen në rrugën “Egnatia”, të dy shtetasit e përfshirë në këtë rast. Sekuestrohen 252 gramë lëndë narkotike Kokainë, 1 automjet tip “BMW” dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për përfshirjen e 2 shtetasve në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin e koduar “Momenti”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Sh., 19 vjeç dhe D. F., 26 vjeç.
19-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën “Egnatia”, duke i dorëzuar 26-vjeçarit, një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë. Më tej, nga kontrolli i banesës i 19-vjeçarit, u sekuestruan 41 gramë të tjerë të kësaj lënde.