Vetëm brenda një jave, 53 raste të dhunës në familje

Vetëm brenda një jave, 53 raste të dhunës në familje

Kronika August 14, 2026 - 11:36

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka trajtuar 56 raste të reja gjatë periudhës 7–14 gusht 2026, ku shumica e rasteve kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Sipas të dhënave të ZMNV-së, nga 56 rastet e trajtuara, 53 kanë qenë raste të dhunës në familje, një rast për dhunim, një për lëndim të lehtë trupor dhe një rast për shkelje të urdhrit mbrojtës.

Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave në nivel vendi kanë parashtruar 8 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) në gjykatë, si dhe 20 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME).

Po ashtu, është parashtruar një kërkesë për vazhdimin e urdhrit mbrojtës, ndërsa janë miratuar 19 aktvendime.

Në kuadër të punës për mbrojtjen dhe përfaqësimin e viktimave, janë zhvilluar 25 seanca gjyqësore dhe 14 seanca në prokurori. Viktimave u janë dhënë edhe 53 këshilla juridike.

Gjatë javës janë evidentuar edhe 6 aktgjykime dënuese, ndërsa është bërë një kërkesë për kompensim nga Fondi për Viktimat.

ZMNV-ja ka realizuar edhe referime dhe përfaqësime në institucionet përkatëse. Janë bërë tri referime në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) dhe 7 referime në Qendrat për Punë Sociale (QPS).

Gjithashtu, është realizuar një përfaqësim në QPS dhe dy përfaqësime në strehimore.

Të dhënat pasqyrojnë aktivitetin e ZMNV-së gjatë vetëm një jave, me dhunën në familje që përbën pjesën dërrmuese të rasteve të trajtuara.