IPK-ja nis hetimet, pas pretendimeve të një serbi se u rrah nga policia në Zubin Potok

IPK-ja nis hetimet, pas pretendimeve të një serbi se u rrah nga policia në Zubin Potok

Kronika August 12, 2026 - 12:23

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim preliminar sipas detyrës zyrtare (ex officio) lidhur me pretendimet për tejkalim të autorizimeve policore ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Sipas IPK-së, hetimi është iniciuar bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike të 11 gushtit 2026, në të cilat qytetari Nenad Rashkoviqit ka ngritur pretendime për veprimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, transmeton Zeri.info.

Hetimi lidhet me veprimet policore gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.

IPK-ja ka bërë të ditur se qëllimi i fazës preliminare është verifikimi i pretendimeve dhe sqarimi i të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante, pa paragjykuar rezultatin e hetimit.

“Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të hetimeve, IPK-ja pritet të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, përfshirë sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, bashkëpunimin me institucionet përkatëse dhe intervistimin e personave që mund të kenë dijeni për rastin.

IPK-ja ka theksuar se çdo ankesë ose informacion që lidhet me sjelljen e zyrtarëve policorë trajtohet me seriozitetin më të lartë.

Po ashtu disa organizata të Shoqërisë Civile, përmes një letre kanë kërkuar hetime nga EULEX-i, në lidhje me pretendimet e Nenad Rashkoviqit për keqtrajtim nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.