Një 13-vjeçar në Ferizaj doli me veturë dhe u vetaksidentua për vdekje
Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së dielës në rrugën Fushë-Muhoc - Ferizaj, ku një 13-vjeçar ka humbur jetën në një vetaksident, ndërsa një tjetër i mitur ka mbetur i lënduar.
Sinjali mëson se viktima është L.I., 13 vjeç, nga fshati Prelez, i cili ndodhej në timonin e një veture “Mercedes”, ndërsa bashkë me të në automjet ishte edhe A.H., 16 vjeç.
Aksidenti ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 16:30, në rrugën e fshatit Muhoc.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 13-vjeçari ishte duke drejtuar “Mercedesin” kur dyshohet për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë, ka humbur kontrollin mbi automjetin.
Vetura ka dalë jashtë rrugës në anën e majtë, duke përfunduar në vetaksident.
Pasojat kanë qenë tragjike. Ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e 13-vjeçarit, ndërsa pasagjeri 16-vjeçar ka pësuar lëndime trupore.
I lënduari është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është liruar për në shtëpi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Trafikut Rajonal, hetuesit dhe patrullat policore, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.
Hetimet për rrethanat e plota të aksidentit po vazhdojnë.