Bastiset lokali i bixhozit në Rashiq të Pejës, gjendet “AK-47” dhe arrestohen tre persona
Tre persona janë arrestuar në Pejë, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 8 gusht, pas pranimit të informacioneve për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme të lojërave të fatit në një lokal në fshatin Rashiq të Pejës, Sektori Rajonal për Hetime, në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë, ka realizuar bastisje në këtë lokacion, transmeton Zeri.info.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar si prova materiale një kuti me çipa për organizimin e lojërave të pokerit, një armë automatike “AK-47”, një karikator, 10 fishekë dhe një mjet të mprehtë (brisk).
Tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit kompetentë.
Pas përfundimit të procedurave fillestare hetimore, me vendim të organit kompetent, dy të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia e Kosovës ka përsëritur thirrjen për qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo veprimtari të dyshimtë tek organet kompetente. /Zëri


