“Na rrezikuan me të shtëna”, denoncohen fqinjët gjatë një ahengu në Viti
Dy persona në Viti kanë raportuar në Polici se ata dhe familjarët e tyre janë rrezikuar, pasi pranë tyre kanë rënë dy predha të fishekëve të armës së zjarrit.
Rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 22:15.
Sipas Policisë, dy ankuesit kanë dyshuar se të shtënat kanë ardhur nga një shtëpi në lagjen e tyre, ku po zhvillohej një aheng familjar, transmeton Zeri.info.
Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar, përgjegjës i familjes ku po mbahej ahengu.
Gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë së tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar 30 gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit. Megjithatë, arma nuk është gjetur.
I dyshuari ka mohuar se kishte shtënë me armë.
Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti mbetet nën hetime. /Zëri
Raporti i plotë:
Viti / 09.08.2026 – 22:15. Dy ankues meshkuj kosovarë kanë raportuar se ata dhe familjarët e tyre kanë qenë të rrezikuar, pasi afër tyre kanë rënë dy predha të fishekëve të armës së zjarrit, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga një shtëpi e lagjes së tyre, në të cilën kishte pasur aheng familjar. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, përgjegjës i familjes në të cilën ka qenë ahengu familjar, për shkak se gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur dhe konfiskuar 30 copë gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit, mirëpo arma nuk është gjetur dhe i dyshuari ka mohuar se kishte shtënë me armë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti mbetet nën hetime.