Policia dhe zjarrfikësit shpëtojnë një 30-vjeçare nga një situatë e rrezikshme në Kaçanik
Foto: Laura Hasani

Policia dhe zjarrfikësit shpëtojnë një 30-vjeçare nga një situatë e rrezikshme në Kaçanik

Kronika August 05, 2026 - 09:02

Stacioni policor në Kaçanik është njoftuar nga një njësi e Trafikut Rajonal, e cila gjatë patrullimit në rrugën magjistrale kishte vërejtur një person të gjinisë femërore, rreth 30 vjeçe, duke ecur në pjesën e betonuar të urës, në afërsi të Fushës së Pajtimit, në rrethana që kishin ngritur dyshime për rrezik të mundshëm ndaj jetës së saj.

Sipas njoftimit të PK-së, rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme rreth orës 18:20, në Kaçanik, raporton Zeri.info.

"Pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë patrullat policore, Njësia e Hetimeve, Njësia e Zjarrfikësve dhe ekipi i Emergjencës. Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth orës 18:35 personi është larguar me sukses nga zona e rrezikshme dhe është vendosur në një vend të sigurt, pranë rrethrrotullimit te Fusha e Pajtimit", thuhet në njoftimin e PK-së.

Po ashtu thuhet se në vendin e ngjarjes ekipi i Emergjencës i ka ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa për rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe Qendra për Punë Sociale, pasi personi nuk kishte familjarë apo persona përgjegjës që të kujdeseshin për të.

"Policia e Kaçanikut, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe strehimin e personit:, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe falënderon të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin dhe reagimin profesional në këtë rast. /Zëri